Komuna e Ferizajt ka reaguar ashpër ndaj mosparashikimit të financimit për Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (USHAF) në Qarkoren Buxhetore 2027, duke e cilësuar vendimin si të papranueshëm dhe me pasoja serioze për arsimin e lartë.
Përmes një reagimi publik, komuna ka bërë të ditur se mungesa e financimit për vitet 2027-2029 përbën një goditje institucionale ndaj universitetit dhe qytetit të Ferizajt.
“Ferizaj nuk lejon mbylljen e Universitetit”, thuhet në reagim, ku theksohet se USHAF është ndërtuar me përkushtim ndër vite dhe ka shërbyer për edukimin e mijëra studentëve.
Komuna i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Financave që të rishqyrtojnë urgjentisht vendimin, duke siguruar buxhetin e nevojshëm për funksionimin normal të universitetit.
Sipas komunës, mbyllja eventuale e universitetit do të dëmtonte jo vetëm arsimin e lartë, por edhe zhvillimin ekonomik të Ferizajt, i cili konsiderohet një nga qendrat kryesore ekonomike të vendit. /Demantim News/