Komisioni për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes ka miratuar projektligjin për shtetësinë.
Kryetari i këtij komisioni nga radhët e VV-së, Mefail Bajqinofci tha se ky projektligj është aprovuar në komision dhe se ai tashti do të shqyrtohet edhe në komisione të tjera.
Bajqinovi tregoi edhe rëndësinë e projektligjit për shtetësinë.
“Po është aprovuar ligji për shtetësi dhe tashmë do të shkojë edhe në komisione të tjera një ligj i rëndësisë së veçantë e po ashtu edhe ligji për lëndët plasëse tashti është në diskutim. Është shumë e rëndësishme që qytetarët e Republikës së Kosovës një pjesë e madhe e tyre që jetojnë jashtë vendit dhe kanë dhe kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës për shkak se shteti të cilin e kanë pas obligim që t’ia largonin shtetësinë e Republikës së Kosovës tashti me një kërkesë do t’u kthehet shtetësia, ndërsa deri sot ky ligj për rikthimin e shtetësisë duheshin disa dokumente për ta rikthyer shtetësinë, pra ka qenë një burokraci e cila tashmë do të jetë e panevojshme. Është një ligj i rëndësisë së veçantë që prek shumë njerëz. Po ashtu bën edhe që më shumë qytetarë që jetojnë këtu e bën një zvogëlim të një kohe të caktuar për verifikimin e lejeqëndrimit për shtetësi”, ka thënë ai.
Bajqinovci ka folur edhe për projektligjin për lëndët plasëse , duke thënë se edhe ky ka një rëndësi të veçantë sepse rregullon edhe çështjet brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Po ashtu e kemi edhe ligjin për lëndët plasëse, i cili është shumë i rëndësishëm dhe rregullon edhe çështjet brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme ku ka të bëj me eksploziv ku do të rregullohen format”, ka thënë ai.