Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të shërbimeve të besuara dhe identifikimit elektronik, me qëllim lehtësimin e shërbimeve digjitale mes dy vendeve.
Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, tha se marrëveshja është një hap i rëndësishëm në transformimin digjital dhe integrimin evropian të Kosovës.
Sipas tij, marrëveshja do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve qasje më të lehtë në shërbime elektronike përtej kufijve.
Edhe ministri i Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, e vlerësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. /Demantim News/