August 21, 2026
1 min read

“Kosova po pret”: Prishtina marshon për liri para verdiktit në Hagë

Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka njoftuar se më 12 shtator në Prishtinë do të organizojë Marshin për Liri, nën moton “KOSOVA PO PRET”.

Marshi do të zhvillohet katër ditë para shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë bërë të ditur se aktiviteti do të shoqërohet edhe me një seri nismash në ditët para 16 shtatorit.

Hoxha tha se platforma synon të përcjellë kërkesën qytetare për një proces të drejtë, duke theksuar se aktivitetet nuk kanë për qëllim ndërhyrjen apo paragjykimin e vendimit të gjykatës.

Nga nesër, në Prishtinë dhe më pas në komunat e Kosovës, do të nisë edhe numërimi mbrapsht deri më 16 shtator, ndërsa në shtatë zonat e UÇK-së do të organizohen “Netët e Lirisë”, të dedikuara kujtesës, rrëfimit dhe sakrificave për liri.

Ndërkaq, Tasholli u ka bërë thirrje liderëve të partive kryesore politike që t’i bashkohen Marshit për Liri, duke kërkuar që pjesëmarrja të jetë pa simbole partiake dhe në emër të Kosovës.

Platforma ka njoftuar gjithashtu se më 16 shtator do të organizojë një aktivitet në Hagë së bashku me diasporën shqiptare, me synimin që mesazhi “Kosova po pret” të përcillet edhe pranë selisë së Dhomave të Specializuara.

Latest from Blog

Go toTop