Pak ditë para seancës përmbyllëse që pritet të mbahet më 16 shtator në Hagë, në Prishtinë do të organizohet më 12 shtator “Marshi për Liri”, me moton “Kosova po pret”.
Thirrja për pjesëmarrje në këtë aktivitet është bërë publike edhe në Tiranë, ku prej kësaj të mërkure njoftimi për marshin po shfaqet në disa ekrane të vendosura në kryqëzimet kryesore të kryeqytetit.
“Marshi për Liri” do të zhvillohet në Prishtinë, ndërsa organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe përfaqësuesve politikë që t’i bashkohen aktivitetit.
Ndërkohë, në kryeqytetin e Kosovës ka nisur edhe numërimi mbrapsht drejt datës 16 shtator. Në Bulevardin “Nëna Terezë” është vendosur një ekran i madh ku shfaqen ditët, orët, minutat dhe sekondat që kanë mbetur deri në seancën e radhës në Hagë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po përballen me proces gjyqësor në Hagë, ndërsa më 16 shtator pritet të zhvillohet seanca përmbyllëse e këtij procesi.