Përfaqësuesja e ICMP-së për Ballkanin Perëndimor, Samira Krehiç, ka thënë se është reale të besohet se në Kosovë dhe Serbi ende mund të ketë lokacione të pazbuluara që lidhen me personat e zhdukur.
Ajo ka theksuar se zbulimi i varrezave të reja tregon se çështja e të zhdukurve nuk i përket vetëm së kaluarës, ndërsa ka bërë thirrje për analiza profesionale, bashkëpunim institucional dhe ndarje të informacioneve.
Sipas Krehiç, koha po e vështirëson procesin, pasi dëshmitarët po humbin dhe informacionet bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u siguruar. Ajo ka kërkuar që çështja të trajtohet si prioritet humanitar dhe të depolitizohet.