August 4, 2026
1 min read

Krimi që tronditi Italinë: Si humbi jetën 24-vjeçari shqiptar pas një konflikti për xhelozi

Një konflikt i dyshuar i lidhur me xhelozinë ka përfunduar me pasoja tragjike në Vescovato, në provincën e Kremonës, ku një 24-vjeçar shqiptar humbi jetën pasi u godit me thikë.

Viktima është identifikuar si Nurian Dalipaj, ndërsa për ngjarjen është arrestuar 32-vjeçari Mattia Miraglia, i cili po hetohet nën dyshimet për vrasje dhe tentativë vrasjeje.

Sipas raportimeve të mediave italiane, gjithçka nisi mbrëmjen e së dielës në një lokal në Kremona, ku i dyshuari pa ish-partneren e tij në shoqërinë e Dalipajt. Pas një debati verbal dhe një përleshjeje të shkurtër jashtë lokalit, Miraglia u largua drejt banesës së tij në Vescovato.

Më vonë, 24-vjeçari së bashku me dy vëllezërit e tij shkuan pranë shtëpisë së 32-vjeçarit. Sipas hetimeve paraprake, i dyshuari doli jashtë i armatosur me një thikë kuzhine dhe, pas përshkallëzimit të konfliktit, goditi Dalipajn në qafë, plagë nga e cila ai humbi jetën.

Gjatë përleshjes mbeti i plagosur rëndë edhe vëllai 20-vjeçar i viktimës, i cili po trajtohet në repartin e terapisë intensive. Ndërkohë, edhe i dyshuari ka pësuar një lëndim në dorë.

Sipas dëshmive të banorëve dhe personave që e njihnin autorin e dyshuar, mosmarrëveshjet mes palëve kishin nisur më herët dhe dyshohet se lidhen me ish-partneren e 32-vjeçarit.

Autoritetet italiane po vazhdojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes, e cila ka tronditur komunitetin lokal në Vescovato.

Latest from Blog

Go toTop