Kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se gjatë takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, fokusi i diskutimeve ishte bashkëpunimi mes dy subjekteve politike dhe jo emrat e mundshëm për presidentin e ardhshëm.
Kurti u shpreh se presidenti i Kosovës duhet të jetë një figurë unifikuese, e cila përfaqëson të gjithë qytetarët dhe qëndron mbi ndarjet politike.
“Presidenti i Kosovës, si shprehje e unitetit të popullit, duhet të jetë një figurë që bashkon qytetarët me vlerat dhe integritetin e saj. Ai nuk duhet të shndërrohet në një pol të katërt të pushtetit”, tha Kurti.
Sipas tij, kreu i shtetit duhet të jetë jashtë partive politike dhe të mos përfshihet në debatet e përditshme politike, por të përfaqësojë Republikën në mënyrë dinjitoze.
Kurti ritheksoi se Vetëvendosje është e gatshme të bashkëpunojë me LDK-në, duke vlerësuar se vendi ka nevojë për stabilitet dhe zhvillim më të shpejtë.
“Jemi të interesuar për bashkëpunim me LDK-në, sepse Kosova ka nevojë për progres të përshpejtuar”, deklaroi ai.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, Kurti tha se nuk është diskutuar për kandidatë konkretë dhe se emri duhet të jetë rezultat i një konsensusi politik.
Ai kujtoi se Vetëvendosje kishte propozuar më herët emrat e Glauk Konjufcës, Fatmire Kollçakut dhe më pas Feride Rushitit, por sipas tij këto propozime nuk morën mbështetjen e nevojshme.
Në fund, Kurti theksoi se synimi mbetet arritja e një marrëveshjeje për bashkëpunim, ndërsa shtoi se bisedimet me LDK-në kanë qenë të përqendruara te rruga përpara dhe jo te emrat për postin e presidentit.