Pas rreth tre orësh diskutime, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë përfunduar takimin ku në qendër ishte zgjedhja e Presidentit të Kosovës.
Pas takimit, Kurti e përshkroi diskutimin si të sinqertë, serioz dhe të hapur, ndërsa konfirmoi se komunikimi ndërmjet dy subjekteve politike do të vazhdojë.
Sipas tij, për herë të parë në këto bisedime janë trajtuar edhe emra konkretë për postin e Presidentit, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt një zgjidhjeje.
“Diskutimi ishte i sinqertë, serioz dhe i hapur. Do të vazhdojnë bisedimet për shkak se është rritur mirëbesimi. Është hera e parë që kemi diskutuar me emra të përveçëm”, deklaroi Kurti.
Ai tha se procesi mbetet kompleks, pasi diskutimi për kandidaturat kërkon shqyrtimin e argumenteve dhe qëndrimeve të palëve të përfshira.
Kurti sqaroi gjithashtu se personat emrat e të cilëve janë diskutuar nuk janë kontaktuar paraprakisht për të marrë pëlqimin e tyre. Sipas tij, fillimisht duhet të arrihet pajtimi ndërmjet partive.
Kryetari i LVV-së theksoi se përmbajtja e procesit do të bëhet transparente në kohën e duhur, por konfidencialiteti i bisedimeve të brendshme duhet të ruhet deri në arritjen e një dakordimi.
Në përfundim, Kurti falënderoi Abdixhikun, si dhe përfaqësueset e LDK-së, Hykmete Bajramin dhe Avdije Nagavcin, për qasjen dhe seriozitetin gjatë takimit.
Ai tha se, pavarësisht kohëzgjatjes, nuk do ta cilësonte takimin si “negociata maratonike”.