Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e Bashkisë Metropolitane të Izmirit, dr. Cemil Tugay, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë takimit, Kurti ka theksuar lidhjet e veçanta të shqiptarëve me qytetin e Izmirit, si dhe marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Turqisë dhe mbështetjen e vazhdueshme turke për Kosovën.
Në fokus të diskutimeve kanë qenë mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Izmirit në fusha të ndryshme, përfshirë ekonominë, industrinë, ndërmarrësinë, arsimin, kulturën, teknologjinë dhe inovacionin.
Palët kanë diskutuar gjithashtu për bashkëpunimin në bujqësi, mbrojtjen e mjedisit dhe sektorin e energjisë, ndërsa rëndësi i është kushtuar edhe rolit të komunitetit shqiptar në Turqi dhe komunitetit turk në Kosovë si lidhje mes dy vendeve.
Përveç mundësive për investime dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare, në takim është vlerësuar edhe rëndësia e shkëmbimit të përvojave dhe praktikave në fusha të ndryshme, veçanërisht në menaxhimin e mbeturinave dhe mbrojtjen e mjedisit.