August 28, 2026
1 min read

MASh kërkon nga prindërit deklaratë për përdorimin e parave të teksteve shkollore

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) u ka dërguar të gjitha Drejtorive Komunale të Arsimit një qarkore, përmes së cilës kërkon organizimin e procesit të deklarimit nga prindërit dhe kujdestarët ligjorë të nxënësve të klasave 1–9 që kanë përfituar subvencione për tekstet dhe materialet shkollore për vitin 2026-2027.

Sipas MASh-it, prindërit ose kujdestarët ligjorë duhet të plotësojnë një deklaratë ku konfirmojnë se mjetet e përfituara janë përdorur për blerjen e teksteve shkollore dhe se ato janë siguruar për nxënësit.

Në të njëjtën deklaratë, ata do të konfirmojnë se janë të informuar për mundësinë që institucionet kompetente të verifikojnë mënyrën e përdorimit të mjeteve dhe sigurimin e teksteve.

Prindërit do të zotohen gjithashtu që tekstet që janë të destinuara për ripërdorim t’i kthejnë në shkollë në fund të vitit shkollor dhe në gjendje të përshtatshme.

“Shkollat do t’ua shpërndajnë deklaratat nxënësve përfitues, ndërsa pas plotësimit dhe nënshkrimit nga prindërit/kujdestarët ligjorë, ato do të grumbullohen dhe evidentohen nga shkollat”, ka njoftuar MASh-i.

Sipas ministrisë, i gjithë procesi i plotësimit, grumbullimit dhe dorëzimit të deklaratave duhet të përfundojë deri më 1 tetor 2026.

Latest from Blog

Go toTop