Një 27-vjeçar është arrestuar në Brezovicë, nën dyshimin për posedim të substancave narkotike.
Rasti është regjistruar më 19 gusht 2026, rreth orës 23:30, pasi njësitet policore të stacionit në Shtërpcë pranuan informacion për një substancë të dyshuar narkotike në një vilë të pabanuar në Brezovicë.
Pas intervenimit në vendin e ngjarjes, policia ka kontrolluar të dyshuarin, shtetas i Kosovës, të cilit i janë gjetur substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe dy peshore digjitale.
Me dyshimin se mund të kishte edhe substanca të tjera narkotike, zyrtarët policorë kanë kontrolluar edhe një vilë tjetër, ku kanë zbuluar një sasi shtesë të dyshuar marihuane.
Gjatë këtij operacioni janë konfiskuar gjithsej 1 mijë e 63 gramë marihuanë, dy peshore digjitale, një çantë krahu e zezë, një thikë metalike dhe një telefon celular.
Për rastin është njoftuar Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, e cila ka marrë përsipër procedimin e mëtejshëm.
Me autorizim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është intervistuar dhe ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.

