July 7, 2026
2 mins read

Mbi 161 mijë punëtorë me paga nën 500 euro, njoftohet inspektorati

Pavarësisht rritjes së pagës minimale në 500 euro, mijëra punëtorë në Kosovë vazhdojnë të kenë të deklaruara paga nën këtë nivel. Sindikatat kërkojnë rritje të pagave, ndërsa Administrata Tatimore konfirmon se ka identifikuar raste të mosdeklarimit të pagave reale nga punëdhënësit.

Pavarësisht asaj se çmimet e shumë produkteve ushqimore bashkë me ato të shërbimeve tjera kanë shënuar ngritje në Kosovë, ka ende shumë punëtorë që marrin pagë nën 300 euro. Përfaqësues të tyre thonë se pjesa dërmuese e tyre janë punëtorë teknikë të cilët punojnë në institucionet publike arsimore.

“Kemi punëtorë që paguhet me pagë 237 euro. Kemi punëtorë që paguhet me 292 euro. Po, të gjitha institucionet relevante janë të njoftuara. S’ka dilema aty, me inspektorat, me të gjitha institucionet e tjera”, tha Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës

Azemi thotë se çdo pagë nën 800 euro nuk i mbulon as gjërat më elementare të një familjeje.

“360 euro shkojnë për katër anëtarë të familjes, brenda muajit vetëm për ka dy bureka me i ngrënë një anëtarë i familjes. Kur e marrim parasysh që duhet minimumi të shpenzojmë 100 euro rrymë, transport 50 euro, shkollim të fëmijëve 100 euro, telefon 20 euro, ujë dhe higjienë 50 euro, totali i këtyre shpenzimeve po shkon 680 euro, po thonë, duke i hekur të gjitha shpenzimet e tjera që mund të ndodhin ad-hoc”, shtoi ai.

Nga Administrata Tatimore e Kosovës e kanë konfirmuar për RTK-në se kanë identifikuar raste kur punëdhënësit nuk kanë deklaruar pagat reale të punëtorëve ose nuk kanë respektuar nivelin minimal të përcaktuar me ligj.

Sipas ATK-së, 161 mijë e 892 punëtorë në Kosovë kanë të deklaruar pagë bruto nën 500 euro. Mbi 50 mijë punëtorë kanë deklaruar sipas të dhënave të fundit të ATK-së të cilat mund të ndryshojnë nga ky muaj, kanë deklaruar pagë bruto 425 euro. 

“Në rastet kur konstatohen shkelje lidhur me deklarimin e pagave, ATK ndërmerr masa në përputhje me legjislacionin tatimor, të cilat mund të përfshijnë: kërkesën për korrigjimin e deklarimeve, rivlerësimin e detyrimeve tatimore, ngarkimin me detyrime shtesë tatimore dhe interes, shqiptimin e gjobave administrative sipas dispozitave ligjore, ndërmarrjen e masave të tjera ligjore kur konstatohet shmangie apo shkelje e rëndë”.

Përfaqësues të bizneseve thonë se këto të fundit kanë respektuar vendimin për rritjen e pagës minimale, ndonëse sipas tyre, rritja e shpejt e pagës minimale ka dëmtuar bizneset e vogla.

“Kjo për shkak se ato edhe ashtu nuk kanë shitje të mëdha, prandaj edhe kjo ndikon. Në pjesën tjetër, ka një pjesë të bizneseve të cilat tashmë janë në telashe të mëdha për shkak se kjo rritje e madhe e pagës minimale e ka mbërrit pragun e një page tjetër që është aty dhe ata tash punëtorët e tjerë që janë brenda bëjnë rritje, e rrisin presionin drejt të themi në këtë rast punëdhënësit që të rrisë pagat”, pohoi Kushtrim Ahmeti, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë 

Paga minimale u rrit në 425 euro në janar të këtij viti, ndërsa nga 1 korriku në 500 euro.

Sipas Institutit GAP, sektorët që u ndikuan më së shumti nga rritja e pagës minimale janë: Industria e ushqimit dhe pijeve, tregtia me pakicë, ndërtimtaria e shërbimet personale.

Latest from Blog

Go toTop