Avokati i Xhelal Sveçlës, Laur Prenaj, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që klienti i tij të shpallet i pafajshëm në rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Në fjalën përfundimtare, Prenaj ka argumentuar se gjatë procesit nuk është dëshmuar se Sveçla ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Sipas mbrojtjes, një nga problemet kryesore qëndron te ekspertiza, pasi prova E-16, mbi të cilën është bërë ekzaminimi, nuk përputhet me mjetin që pretendohet se është përdorur nga Sveçla.
“Dëshmia E-16 është një sprej dore, e cila nuk i është gjetur të mbrojturit tim. Kjo ekspertizë nuk ka lidhje as juridike e as faktike me të mbrojturin tim”, ka deklaruar Prenaj.
Ai ka shtuar se kjo mospërputhje, sipas tij, krijon dyshime serioze për objektin që është ekzaminuar dhe për pamundësinë që rezultatet e ekspertizës t’i atribuohen mjetit të pretenduar në aktakuzë.
Mbrojtja ka vlerësuar gjithashtu se veprimi i Sveçlës kishte karakter politik dhe jo kriminal, duke argumentuar se qëllimi ishte kundërshtimi i marrëveshjes për demarkacionin dhe pengimi i zhvillimit të seancës së Kuvendit.
Në fund, avokati ka kërkuar që ndaj Sveçlës të nxirret aktgjykim lirues.
Gjykatësi Sabit Sadiku ka njoftuar se aktgjykimi do të shpallet më 2 shtator, në orën 09:00.
Në këtë rast akuzohen edhe Fitore Pacolli-Dalipi, Drita Millaku dhe Salih Zyba, ndërsa procedura ndaj Sveçlës është veçuar. Akuza për “Pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” është parashkruar, ndërsa procedura ndaj Sveçlës vazhdon për veprën “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.