Mësimi tërëditor do të zgjerohet gjatë këtij viti shkollor në katër shkolla të reja në Prishtinë, si pjesë e ndryshimeve që synojnë përmirësimin e organizimit të procesit mësimor.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, ka bërë të ditur se përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor janë drejt përfundimit, ndërsa shkollat janë duke u përgatitur edhe për zbatimin e modelit të mësimit tërëditor.
Sipas tij, ky model do të shtrihet në shkollat “Mehmet Gjevori”, “Afrim Gashi”, shkollën në Vranidoll dhe “Asim Vokshi”.
Elshani ka treguar se këtë vit janë vendosur edhe kritere më të qarta për regjistrimin e nxënësve në klasat e para. Në shumicën e shkollave është respektuar kufizimi prej 30 nxënësish për klasë, ndërsa regjistrimi është bërë sipas zonimit dhe vendbanimit.
Ai ka thënë se është kufizuar edhe regjistrimi i nxënësve nga komunat përreth, pavarësisht nëse prindërit e tyre punojnë në Prishtinë.
Sa i përket stafit arsimor, Elshani ka deklaruar se Prishtina përballet me kërkesa më të mëdha për punësim, por nuk ka të njëjtin problem me mungesën e mësimdhënësve si disa komuna të tjera.
Ndërkohë, ai ka paralajmëruar se gjatë mandatit të tij do të ketë një prioritizim më racional të angazhimit të asistentëve, psikologëve, logopedëve dhe mësuesve mbështetës, duke u bazuar në numrin e nxënësve dhe nevojat e shkollave.
Ndryshime do të ketë edhe në organizimin e ditës mësimore. Lëndët bazë dhe obligative do të zhvillohen kryesisht gjatë paradites, ndërsa pasdite do të organizohen aktivitetet zgjedhore dhe tematike.
Sipas Elshanit, mësimi tërëditor pritet të zgjerohet edhe më tej me përfundimin e disa shkollave të reja në kryeqytet, përfshirë ato në Kodrinë, Qëndresë, pranë Pallatit të Drejtësisë, në Sofali dhe në Kalabri.
Drejtori i Arsimit ka thënë se për matjen e rezultateve të mësimit tërëditor nevojiten vlerësime më sistematike dhe metodologji më të qarta. Megjithatë, ai ka vlerësuar se deri tani janë vërejtur efekte pozitive në disa aspekte të performancës së nxënësve.