Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të mos nxitojnë me blerjen e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore për nxënësit.
Sipas Ministrisë, procesi i negocimit të çmimeve të teksteve me shtëpitë botuese ende nuk ka përfunduar, prandaj katalogu përfundimtar me librat dhe çmimet përkatëse nuk është publikuar ende.
Pas përfundimit të negociatave, Ministria do të publikojë katalogun zyrtar dhe do të bëjë të ditur edhe shumën që do të ndahet për blerjen e librave për secilin nxënës.
Për këtë arsye, prindërve u është kërkuar të presin njoftimin zyrtar para se të bëjnë blerje.
Edhe librarive dhe shitësve të teksteve mësimore u është bërë thirrje që të mos fillojnë shitjen para përfundimit të procedurave dhe publikimit të njoftimit zyrtar.
Ministria ka kërkuar që qytetarët, për informacionet e mëtejshme, t’u referohen vetëm njoftimeve dhe publikimeve zyrtare.
/Demantim News/