Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi ka deklaruar se vendimet e disa komunave për “çnjohjen” e pavarësisë së Kosovës nuk kanë asnjë efekt juridik dhe nuk ndikojnë në politikën e jashtme të shtetit.
Për Demantim News, MPJ theksoi se njësitë e vetëqeverisjes lokale nuk kanë kompetenca kushtetuese apo ligjore në çështjet e politikës së jashtme dhe se vendime të tilla janë vetëm akte politike pa pasoja ligjore.
Autoritetet në Podgoricë u kanë bërë thirrje zyrtarëve publikë të respektojnë rendin kushtetues dhe të shmangin veprime që mund të dëmtojnë reputacionin ndërkombëtar të Malit të Zi.
Po ashtu, MPJ ritheksoi se Mali i Zi do të vazhdojë të zhvillojë marrëdhënie të mira me Kosovën dhe të mbështesë pjesëmarrjen e saj në organizata dhe nisma ndërkombëtare.
/Demantim News/