Përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, ka deklaruar se janë ndier të fyer që Qeveria e Kosovës nuk i ka përfshirë në grupin që do të hartojë strategjinë shtetërore për përballjen me Gjykatën Speciale.
Duke folur në emisionin “FRONTAL” në T7, Syla ka kritikuar mungesën e ftesës për OVL-UÇK-në, duke vlerësuar se organizata do të mund të kontribuonte në këtë proces.
Ai ka theksuar se, sipas tij, gjatë gjashtë viteve të zhvillimit të proceseve në Hagë, barra kryesore ka rënduar mbi veteranët, ndërsa përfaqësuesit e Qeverisë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, nuk kanë reaguar sa duhet.
Syla ka shtuar se OVL-UÇK-ja ka përvojë nga takimet e shumta që ka zhvilluar lidhur me këtë çështje dhe se mund të jepte kontribut në hartimin e strategjisë.
Ai ka shprehur gjithashtu pakënaqësi për marrëdhëniet me Qeverinë aktuale, duke thënë se komunikimi mes tyre është ndërprerë.
“Nuk e di, por ne s’kemi raporte me Qeverinë Kurti. Na i ka shkëputur të gjitha kontaktet”, ka deklaruar Syla.
Deklaratat e tij vijnë në kohën kur po diskutohet hartimi i një strategjie shtetërore për çështjet që lidhen me Gjykatën Speciale në Hagë.