Gjakova do të mirëpresë këngëtaren e njohur shqiptare Eli Fara, e cila më 28 nëntor do të performojë në kuadër të festivalit “Ditët e Nëntorit”.
Koncerti do të mbahet në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, duke filluar nga ora 20:00, ndërsa këngëtarja do të shoqërohet nga Ansambli Artistik “Skënderbeu”.
Mbrëmja pritet t’i kushtohet muzikës tradicionale shqiptare, me theks të veçantë te serenatat korçare dhe krijimtaria muzikore që ka ruajtur ndër vite vlerat e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Organizatorët e kanë cilësuar pjesëmarrjen e Eli Farës si një mundësi të veçantë për publikun që të shijojë nga afër interpretimin e saj, ndërsa kanë vlerësuar edhe kontributin e Ansamblit Artistik “Skënderbeu” në ruajtjen dhe promovimin e traditës muzikore të Korçës.
Eli Fara, e njohur për zërin e saj karakteristik dhe interpretimin e serenatave korçare, ka një karrierë mbi tri dekada në muzikën shqiptare. Ndërkaq, Ansambli Artistik “Skënderbeu” prej më shumë se 50 vjetësh kontribuon në ruajtjen dhe përcjelljen e traditës muzikore.
Koncerti i 28 nëntorit synon të sjellë një atmosferë festive në Gjakovë, duke ndërthurur muzikën tradicionale me festimet e Ditës së Flamurit.