NATO ka deklaruar se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve duhet të marrë parasysh nevojat e të gjitha komuniteteve lokale.
Një zyrtar i NATO-s ka thënë se KFOR-i po vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme në aspektin e sigurisë, në mënyrë që dialogu dhe përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian të mund të avancojnë.
Ndërkohë, KFOR-i ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së tij të përhershme nga ura, proces që NATO e lidh me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë. Sipas aleancës, ky proces po zhvillohet në mënyrë transparente dhe mund të rishikohet në varësi të zhvillimeve të sigurisë.
Ura kryesore mbi Ibër aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë. Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar më herët hapjen e saj edhe për automjete, një çështje që ka shkaktuar reagime dhe shqetësime nga faktorë ndërkombëtarë.
NATO ka theksuar se KFOR-i do të vazhdojë të ketë prani të dukshme në Mitrovicën e Veriut dhe të Jugut, si dhe në pjesën veriore të Kosovës, duke garantuar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet.
Vuçiq kundër hapjes së urës
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërkohë i ka dërguar letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke kërkuar ndalimin e zvogëlimit të pranisë së KFOR-it në urën kryesore mbi Ibër.
Vuçiq ka pretenduar se hapja e urës do të rrezikonte komunitetin serb në veri të Kosovës dhe ka kërkuar që NATO të mos mbështesë një vendim të tillë.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se Serbia do të vazhdojë të kundërshtojë politikisht këtë çështje, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e kërkimit të një seance të posaçme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Sipas NATO-s, komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, mban kontakte me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë institucionet në Kosovë, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë.
Ura mbi Ibër mbetet një nga pikat më të ndjeshme në veri të Kosovës, ndërsa çdo vendim për të ardhmen e saj pritet të lidhet ngushtë me situatën e sigurisë dhe dialogun ndërmjet palëve.