Ka ndërruar jetë Fatmir Olluri, 52-vjeçar nga Dobraja e Madhe e Lipjanit dhe ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ishte gjetur i plagosur me armë zjarri.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur mbrëmjen e 4 gushtit në Lipjan, ku Olluri ishte gjetur me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Ai ishte dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa policia kishte sekuestruar një pistoletë me dy fishekë.
Policia ka bërë të ditur se më 5 gusht, rreth orës 18:45, 52-vjeçari ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti po trajtohet si “Hetim mbi vdekjen”.
Pas lajmit për vdekjen e tij kanë reaguar edhe figura e subjekte politike. Dega e PDK-së në Lipjan, përmes kryetarit Shukri Buja, ka shprehur ngushëllime për familjen Olluri, duke e përkujtuar atë si një person që ishte kthyer nga Gjermania për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës dhe më pas kishte vazhduar angazhimin e tij në jetën publike.