August 17, 2026
2 mins read

Ndryshojnë kartëmonedhat euro? Edhe qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të votojnë për dizajnin e ri

Pamja e ardhshme e kartëmonedhave euro pritet të përcaktohet pas një procesi konsultimi publik, ku mund të marrin pjesë edhe qytetarë nga vende evropiane që nuk e kanë euron pjesë të eurozonës.

Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka përzgjedhur së fundmi 10 propozime për dizajnin e kartëmonedhave të ardhshme euro. Konceptet e përzgjedhura janë ndërtuar mbi dy tema kryesore: “kultura evropiane” dhe “lumenjtë dhe zogjtë”.

Përzgjedhja vjen pas një konkursi të zhvilluar në të gjithë Bashkimin Evropian, në të cilin u paraqitën më shumë se 1,200 propozime për dizajne të ndryshme. Nga këto aplikime, u përzgjodhën 25 dizajnerë për të zhvilluar konceptet përfundimtare.

Më pas, një juri e pavarur me 21 ekspertë nga fusha të ndryshme, përfshirë dizajnin grafik, komunikimin, historinë dhe shkencat sociale, vlerësoi propozimet dhe përzgjodhi 10 konceptet që kanë kaluar në fazën e radhës.

Tani qytetarët do të kenë mundësinë të shprehin preferencat e tyre për pamjen e ardhshme të kartëmonedhave përmes një sondazhi.

Edhe pse eurozona përfshin 21 nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, pjesëmarrja në këtë sondazh nuk është e kufizuar vetëm te qytetarët e vendeve që përdorin euron si monedhë zyrtare.

Edhe Kosova dhe Mali i Zi mund të votojnë

Në procesin e konsultimit mund të marrin pjesë edhe qytetarët e Kosovës dhe Malit të Zi, dy vende evropiane që nuk janë pjesë e eurozonës, por që e përdorin euron si monedhë zyrtare.

Të drejtën për të marrë pjesë në sondazh e kanë edhe qytetarët e Andorrës, Monakos, Vatikanit dhe San Marinos. Këto shtete përdorin euron si monedhë zyrtare përmes marrëveshjeve të veçanta me Bashkimin Evropian dhe në disa raste emetojnë edhe seri të veçanta monedhash.

BQE-ja ka sqaruar se sondazhi online është i hapur për të gjithë personat në Evropë. Kjo nënkupton se në proces mund të marrin pjesë edhe qytetarët e shteteve evropiane që nuk janë pjesë e eurozonës.

Sondazhi nuk e merr vendimin përfundimtar

Megjithatë, votimi publik nuk do të jetë vendimtar në mënyrë absolute për pamjen që do të kenë kartëmonedhat e reja.

BQE-ja po zhvillon paralelisht edhe një sondazh tjetër, të bazuar në një mostër përfaqësuese të qytetarëve nga vendet e eurozonës. Rezultatet e të dyja sondazheve do të shërbejnë si një prej elementeve kryesore në procesin e përzgjedhjes së dizajnit përfundimtar.

Vendimi përfundimtar do të merret nga Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Evropiane. Në këtë proces do të merren parasysh jo vetëm rezultatet e sondazheve publike, por edhe vlerësimet profesionale dhe teknike të dhjetë dizajneve të propozuara.

Kështu, vota e qytetarëve do të ndikojë në proces, por zgjedhja përfundimtare e pamjes së kartëmonedhave të ardhshme euro do t’i takojë BQE-së.

Propozimet e përzgjedhura për dizajnin e ardhshëm të kartëmonedhave dhe sondazhi për votim janë të publikuara në platformat zyrtare të Bankës Qendrore Evropiane.

Latest from Blog

Go toTop