Gazetari dhe autori i emisionit ‘Rubikon’ në Klan Kosova, Adriatik Kelmendi, ka reaguar pas takimit mes kreut të VV-së, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, që rezultoi pa një marrëveshje për presidentin.
Sipas Kelmendit, meqë Kurti propozoi që Abdixhiku të ishte edhe zëvendës i tij, në një bashkëqeverisje me LVV-në, atëherë nuk do të ishte i sinqertë nëse në fushatën e ardhshme e kritikon këtë parti.
Ndërsa në anën tjetër, ai vlerëson se LDK mund ta kritikojë këtë llojë qeverisje, sepse si e tillë do të ishte konsistente.
“Pra, Albini e paska parapëlqyer Lumirin si bashkëpunëtorin më të afërt në qeveri, duke e ofruar si njeri të dytë, sigurisht duke ia vlerësuar atë çka përfaqëson ai dhe LDK-ja.
Lumiri nuk e paska parapëlqyer Albinin si bashkëpunëtorin më të afërt në një qeveri, sigurisht duke mos pasur vlerësim në atë që përfaqëson ai dhe LVV-ja.
Kjo i bjen që në fushatën e ardhshme Albini nuk del i sinqertë nëse e kritikon LDK-në, pasi që e ka e vlerësuar të denjë për bashkëqeverisje.
LDK-ja mund të vazhdojë ta kritikojë llojin qeverisës të Albinit dhe LVV-së, meqë do të jetë konsistente me qëndrimin e deritashëm.” – ka shkruar Kelmendi në Facebook.
Ndryshe, Kurti tha se ia ofroi LDK-së, në bashkëqeverisje me partnerët e tjerë, ta ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri Ministri të tjera. Ndërsa në një ofertë tjetër, i propozoi postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Dy ofertat u refuzuan nga Abdixhiku dhe diskutimet për presidentin u mbyllën mes dy liderëve.