Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka vlerësuar në raportin e saj për zgjedhjet e 28 dhjetorit se ato janë zhvilluar në mënyrë të qetë dhe profesionale.
Në raport, mes tjerash theksohet se procesi ishte teknikisht i përgatitur mirë pavarësisht afateve të shkurtra dhe në përgjithësi u konsiderua gjithëpërfshirës.
“Zhvillimet pozitive përfshinin një ton më të butë fushate, mungesën e ankesave zyrtare në lidhje me gjuhën e urrejtjes dhe incidenteve serioze”, u tha më tej në raport..
Në të, janë ngritur shqetësime për siç u tha politizimin e KQZ-së.
“Natyra publike e këtyre debateve, e kombinuar me përbërjen e KQZ-së bazuar në parti, përforcoi shqetësimet se konsideratat politike mund të kenë ndikuar në atë që është në thelb një vendim administrative”.
“Në përputhje me standardet e Komisionit të Venedikut mbi administrimin zgjedhor – të cilat theksojnë se organet e menaxhimit të zgjedhjeve “jo vetëm që duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme, por edhe të perceptohen sikur veprojnë kështu” – ky episod nënvizoi një dobësi strukturore në modelin aktual: kur vendimet në lidhje me certifikimin në raste politikisht të ndjeshme merren nga “organe të përbëra nga të emëruar partiakë”, ekziston një rrezik në rritje që si siguria ligjore ashtu edhe besimi publik “të mund të minohen, edhe nëse nuk ka ndonjë konstatim formal të paligjshmërisë”, u potencua në raport, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, Asambleja bën thirrje për reforma si dhe depolitizim të KQZ-së.
“Prandaj, delegacioni inkurajon autoritetet e Kosovës që të adresojnë disa çështje kyçe për të forcuar më tej integritetin dhe përfshirjen e procesit zgjedhor, duke përfshirë: sigurimin e depolitizimit të plotë të KQZ-së, në mënyrë që organet e menaxhimit të zgjedhjeve jo vetëm të veprojnë në mënyrë të paanshme, por edhe të perceptohen si të paanshme”.