Fëmijët parafillorë në Prishtinë do të kenë orar të zgjatur duke nisur nga 1 shtatori, pasi koha e qëndrimit në institucionet edukative do të dyfishohet nga dy në katër orë.
Sipas Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës, ndryshimi synon t’u ofrojë fëmijëve më shumë hapësirë për mësim, lojë, aktivitete edukative dhe ndërveprim me bashkëmoshatarët.
Nga ky ndryshim pritet të përfitojnë edhe prindërit, të cilët do të kenë një orar më të përshtatshëm për të harmonizuar angazhimet profesionale me kujdesin ndaj fëmijëve.
Në njoftimin e Drejtorisë së Arsimit thuhet se ky hap është pjesë e politikave për krijimin e kushteve më të mira për fëmijët dhe mbështetjen e familjeve në kryeqytet.
“Rritja e fëmijës, puna dhe mirëqenia e familjes duhet të ecin në të njëjtin drejtim”, thuhet në njoftim.