Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të pandehurit A.H., nën dyshimin për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Shpërlarja e parave”.
Në njoftim thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e PSRK-së për caktim të paraburgimit, të datës 8 korrik 2026, me këtë rast të pandehurit iu caktua masa e paraburgimitnë kohëzgjatje prej 30 ditësh.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate duke qenë se i njëjti dyshohet për vepra të rënda penale, nëse i pandehuri lihet në liri, mund ti shmanget procedurës penale dhe mund të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë, i njëjti mund të asgjësojë, fsheh, falsifikojë provat e veprës penale ose mund të pengojë rrjedhën normale të procedurës penale, po ashtu mund të ndikojë tek personat të tjerë që eventualisht mund të jenë të implikuar në këto veprime”, thuhet në njoftim.
I dyshuari A.H., dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277, paragrafi 1 të Kodit Penal, lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK- së, dhe veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 302 lidhur me nenin 31 të KPRK, lidhur me nenin 56, paragrafi 1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.