August 6, 2026
1 min read

Një muaj paraburgim për Egzon Reshanin, dyshohet për disa vepra penale

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Egzon Reshanit.

Sipas vendimit të Gjykatës, paraburgimi do të zgjasë deri më 3 shtator 2026, ndërsa Reshani dyshohet për disa vepra penale, përfshirë dy raste të “Detyrimit” në bashkëkryerje, “Privimin e kundërligjshëm të lirisë” në bashkëkryerje dhe “Frikësimin gjatë procedurës penale” në vazhdimësi.

Nga provat e siguruara deri në këtë fazë të hetimeve, Gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshim i bazuar se gjatë vitit 2025, i dyshuari, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka përdorur kanosje për ta detyruar një person të kryejë veprime në dëm të pasurisë së tij, duke i shkaktuar humbje materiale dhe shqetësim për sigurinë e tij dhe të familjarëve.

Gjithashtu, sipas dyshimeve të paraqitura, gjatë vitit 2025 Reshani, së bashku me katër persona të tjerë, e ka privuar në mënyrë të kundërligjshme nga liria një person, duke e mbajtur të mbyllur kundër vullnetit të tij.

Ndërkaq, gjatë vitit 2026, ai dyshohet se ka përdorur forcë, kanosje dhe forma të tjera të detyrimit për ta penguar të dëmtuarin që të japë deklarata dhe informacione të vërteta para Prokurorisë.

Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë rrethana që e bëjnë të nevojshëm caktimin e paraburgimit. Në arsyetimin e vendimit thuhet se Reshani kishte qenë në arrati që nga janari i vitit 2026 dhe se ekziston rreziku që, nëse lirohet, të largohet nga Kosova për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.

Po ashtu, Gjykata ka theksuar se hetimet janë ende duke vazhduar dhe se pritet mbledhja e provave të tjera, dëgjimi i të dëmtuarit, dëshmitarëve dhe marrja e deklaratave të personave të përfshirë.

Sipas Gjykatës, ekziston edhe rreziku që i dyshuari, nëse mbrohet në liri, të mund të ndikojë te të dëmtuarit ose dëshmitarët dhe të pengojë zhvillimin e procedurës penale.

Pas shqyrtimit të të gjitha rrethanave, Gjykata ka vlerësuar se vetëm masa e paraburgimit mund të sigurojë praninë e të pandehurit dhe zhvillimin e papenguar të procedurës.

Latest from Blog

Go toTop