August 20, 2026
1 min read

Një muaj paraburgim për të dyshuarin për falsifikim dhe mashtrim, dëmi dyshohet mbi 50 mijë euro

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit me inicialet I.Ç., i dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”.

Paraburgimi mund të zgjasë deri më 18 shtator 2026, ndërsa vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë së Shtetit.

Sipas dyshimeve të ngritura në këtë fazë të hetimeve, I.Ç., në vitin 2021, përmes biznesit të tij individual “Qendra për Verifikimin e Aftësive Profesionale “A….””, dyshohet se ka falsifikuar dhe lëshuar dokumente që janë paraqitur si të vlefshme, ndonëse biznesi, sipas Gjykatës, nuk ishte i akredituar apo i autorizuar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve për lëshimin e kualifikimeve profesionale.

Bëhet fjalë për dokumente të titulluara “Diploma mbi aftësimin profesional”, të cilat pretendohej se dëshmonin për përfundimin me sukses të 900 orëve praktikë dhe 400 orëve teori, si dhe kalimin e provimit përfundimtar për profesione të ndryshme.

Dyshimet lidhen me periudhën nga 4 janari deri më 15 nëntor 2021, kur i pandehuri dyshohet se ka ofruar trajnime profesionale dhe më pas ka pajisur pjesëmarrësit me këto diploma.

Sipas dosjes së rastit, përmes paraqitjes së rreme se dokumentet ishin të vlefshme, të dëmtuarit dyshohet se janë nxitur të kryejnë pagesa, duke pësuar dëm material. Vlera e përfitimit monetar ose dëmit të shkaktuar dyshohet se ka kaluar shumën prej 50 mijë eurosh.

Gjykata ka vlerësuar provat dhe dokumentet e dorëzuara nga Prokuroria, duke konstatuar se ato e mbështesin dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale për të cilat hetohet i pandehuri.

Në arsyetimin për caktimin e paraburgimit është marrë parasysh edhe fakti se hetimet janë ende në zhvillim dhe pritet të sigurohen prova të tjera, përfshirë dëshmitë e personave të dëmtuar dhe dëshmitarëve, si dhe deklarata e të pandehurit.

Sipas Gjykatës, ekziston rreziku që, nëse do të caktohej një masë më e butë, i pandehuri mund të ndikonte te të dëmtuarit për ndryshimin e deklaratave të tyre dhe kështu të pengonte zhvillimin normal të procedurës.

Duke marrë parasysh natyrën dhe peshën e veprave për të cilat dyshohet, si dhe rrethanat e rastit, Gjykata ka vlerësuar se masa e paraburgimit është e nevojshme për sigurimin e pranisë së të pandehurit dhe zhvillimin e papenguar të procedurës penale.

Latest from Blog

Go toTop