Kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi, ka folur para mediave pas intervistimit të tij nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke deklaruar se nuk do të shantazhohet për asnjë çështje.
Ai nuk ka bërë të ditura arsyet konkrete të intervistimit dhe nuk ka përmendur rastin për të cilin është pyetur, por është shprehur se ndihet i lumtur që është intervistuar për “këtë çështje”.
Sipas raportimeve të deritanishme, Thaçi po hetohet lidhur me dyshimet për ushtrim ndikimi në hartimin e hartave të shpronësimeve në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ndonëse autoritetet ende nuk kanë publikuar detaje zyrtare për rastin. Këtë e ka raportuar edhe Demantim News.
“Unë nuk shantazhohem, hiq për asgjë. Natyrisht që më pyetën për çdo gjë, çkado që unë di, do të përgjigjem”, ka deklaruar Thaçi pasi doli nga objekti i Prokurorisë Speciale të mërkurën.
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje tha se do të bashkëpunojë me organet e drejtësisë për çdo informacion që posedon, duke lënë të kuptohet se është i gatshëm t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve që lidhen me çështjen në fjalë.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nuk ka dhënë ende ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me intervistimin e kryetarit të Obiliqit, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë më shumë sqarime rreth këtij rasti, raporton Demantim News.