Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, në bashkëpunim me prodhuesit dhe përpunuesit vendorë të qumështit dhe produkteve me bazë shtazore, kërkon veprim të menjëhershëm dhe të përgjegjshëm institucional për mbrojtjen e zinxhirit vendor të prodhimit.
Sektori i qumështit dhe përpunimit të produkteve vendore përbën një nga shtyllat e rëndësishme të ekonomisë së Kosovës, duke kontribuar në zhvillimin rural, punësimin dhe sigurinë ushqimore të vendit.
Për këtë arsye, çdo deklaratë apo veprim që cenon besimin e konsumatorëve ndaj produkteve vendore, pa u mbështetur në fakte dhe analiza zyrtare, dëmton drejtpërdrejt një sektor të tërë dhe mijëra familje që varen nga ky aktivitet.Në këtë drejtim, Shoqata e Prodhuesve të Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës kërkojnë:
1. Publikimin e menjëhershëm të rezultateve të analizave zyrtare
I bëjmë thirrje Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që të publikojnë rezultatet e mostrave të marra, bazuar në analiza laboratorike zyrtare dhe transparente, me qëllim eliminimin e çdo paqartësie në treg.
2. Mbështetje konkrete institucionale për prodhuesit vendorë
Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës ndërmarrjen e masave urgjente për mbështetjen e zinxhirit prodhues vendor, përmes politikave fiskale nxitëse, lehtësimeve administrative, diplomacisë ekonomike dhe mekanizmave të tjerë mbështetës.
3. Ndaljen e deklarimeve dhe veprimeve që dëmtojnë sektorin pa bazë faktike
Kërkojmë që çdo pretendim për cilësinë apo sigurinë e produkteve ushqimore të trajtohet përmes institucioneve kompetente dhe procedurave profesionale, duke shmangur veprimet që krijojnë pasiguri te konsumatorët dhe dëmtojnë padrejtësisht prodhuesit vendorë.
4. Përshpejtimin e hapave për eksport në tregjet evropiane
Kërkojmë ndërmarrjen e masave konkrete që do t’u mundësojnë prodhuesve vendorë eksportin e produkteve me bazë shtazore në tregun evropian, përfshirë avancimin e proceseve për njohjen e certifikatave përkatëse të lëshuara nga institucionet vendore.
5. Respektimin e standardeve profesionale në raportim dhe mbikëqyrje
Institucionet dhe të gjitha palët e përfshira duhet të veprojnë mbi bazën e ligjeve në fuqi dhe standardeve profesionale, duke garantuar një treg të sigurt, konkurrues dhe të drejtë për të gjithë operatorët.Prodhuesit vendorë kanë investuar në teknologji, kanë krijuar vende pune dhe kanë punuar vazhdimisht për përmbushjen e standardeve të kërkuara. Ata meritojnë mbështetje dhe trajtim të barabartë, jo cenim të reputacionit pa dëshmi të bazuara.
Shoqata e Prodhuesve të Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës pohojnë se mbeten të përkushtuara për dialog konstruktiv me institucionet përgjegjëse, në interes të konsumatorit, prodhuesit vendor dhe zhvillimit ekonomik të vendit.