Policia greke ka arrestuar në ishullin e Mykonosit dy shtetas shqiptarë, 37 dhe 44 vjeç, nën dyshimin për posedim, ruajtje dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Të arrestuarit janë identifikuar si Petrit Myzyri nga Berati dhe Daniel Dhamaj nga Vlora.
Operacioni është zhvilluar nga oficerët e Nëndrejtorisë së Policisë së Mykonosit, pas një periudhe hetimi dhe monitorimi të aktivitetit të dyshuar të dy personave.
Sipas autoriteteve greke, dy shqiptarët dyshohet se bashkëpunonin në shpërndarjen e lëndëve narkotike, ndërsa një pjesë të drogës e kishin fshehur në një automjet privat që përdorej për transport.
Gjatë kontrolleve në një banesë, një motoçikletë dhe dy automjete private, policia ka sekuestruar gjithsej 365.8 gramë MDMA, të ndara në gjashtë pako, 76.3 gramë kokainë rozë, të ndarë në 19 pako, si dhe 36.5 gramë kokainë, të ndarë në 41 pako.
Përveç drogës, autoritetet kanë gjetur edhe 36 tableta farmaceutike pa recetë, 65 mijë e 900 euro dhe 125 dollarë amerikanë, për të cilat dyshohet se kanë lidhje me aktivitetin e paligjshëm të trafikimit.
Si prova materiale janë marrë gjithashtu tre telefona celularë, peshore precize dhe materiale të dyshuara se janë përdorur për paketimin e lëndëve narkotike.
Ndaj dy të arrestuarve është ngritur procedurë penale, ndërsa autoritetet greke po vazhdojnë hetimet për të zbardhur tërësisht aktivitetin e dyshuar dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë.