August 22, 2026
1 min read

Operacioni “Anchor” në Durrës, kapen 80 kg kanabis me vlerë 1 milion euro – arrestohen tre kosovarë

Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Anchor”, duke goditur një rast të dyshuar të trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve nga Kanadaja drejt Shqipërisë.

Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë, autoritetet doganore dhe strukturat e Kufirit dhe Migracionit.

Gjatë kontrolleve në Portin e Durrësit janë sekuestruar 127 pako me rreth 80 kilogramë kanabis të llojit “Gelato”, që sipas Policisë kishte përmbajtje të lartë THC.

Vlera e lëndës narkotike në treg përllogaritet në rreth 1 milion euro.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar gjithashtu tre automjete, pesë telefona celularë dhe rreth 11 mijë euro para të gatshme.

Sipas hetimeve, droga dyshohet se sigurohej në Ontario të Kanadasë dhe transportohej drejt Shqipërisë e fshehur në një hapësirë të modifikuar të një automjeti të porositur për blerje në Kanada.

Pas mbërritjes në Shqipëri, narkotikët dyshohet se do të shpërndaheshin në Shqipëri dhe Kosovë.

Në kuadër të operacionit janë arrestuar tre shtetas të Kosovës, T.D., 32 vjeç, L.G., 26 vjeç dhe B.J., 40 vjeç, nën dyshimin për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Ndërkohë, në kërkim janë shpallur H.C., nga Kukësi, dhe G.O., i lindur në Kosovë dhe banues në Ontario të Kanadasë.

Policia dyshon se personat e përfshirë kishin role të ndara në sigurimin, fshehjen, transportimin dhe shpërndarjen e drogës.

Hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të dyshuar, si dhe dokumentimin e plotë të rolit të secilit.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop