Përfaqësuesit e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) kanë zhvilluar një takim me drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ku është diskutuar për çështje që prekin kategoritë e dala nga lufta dhe sundimin e ligjit.
Për Demantim News, në takim u ngrit shqetësimi për moszbatimin e aktgjykimeve të formës së prerë nga Departamenti i Pensioneve, lidhur me të drejtën e pensionit të dyfishtë për kategoritë e dala nga lufta.
Palët vlerësuan se mosrespektimi i vendimeve gjyqësore cenon sigurinë juridike dhe i detyron qytetarët të ndjekin procedura të përsëritura për të njëjtën çështje.
Gjatë takimit, IKD prezantoi edhe nismën për ndryshime në Kodin Penal, që synon vendosjen e përgjegjësisë penale për moszbatimin e qëllimshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe për keqpërdorimin e parasë publike për përfitime elektorale. OVL e UÇK-së shprehu mbështetjen për këtë nismë.
Po ashtu, të dyja palët u pajtuan për nevojën e miratimit të një ligji për mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.
/Demantim News/