October 20, 2026
1 min read

OVL-UÇK kritikon Trendafilovën: Dhomave të Specializuara u mungojnë dinjiteti dhe profesionalizmi

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj deklaratave të kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, lidhur me përzgjedhjen e ligjit që rregullon funksionimin e kësaj gjykate, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe përqeshëse.

Në reagimin e saj, organizata ka rikujtuar se në Kosovë ligjet miratohen nga Kuvendi, ndërsa edhe Dhomat e Specializuara janë themeluar përmes këtij institucioni.

OVL-UÇK ka shprehur kritika ndaj qasjes së Trendafilovës, duke e vlerësuar si arrogante qëndrimin e saj ndaj Kuvendit në çështjet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Sipas organizatës, kritikat ndaj vendimeve gjyqësore përbëjnë një të drejtë legjitime nga e cila nuk do të tërhiqet.

Në reagimin e saj, OVL-UÇK ka theksuar se asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta ndryshojë qëndrimin e saj se lufta e UÇK-së ishte e drejtë. Sipas organizatës, liria dhe shtetësia e Kosovës janë rezultat i sakrificës së atyre që u ngritën kundër gjenocidit.

Në fund, organizata ka vlerësuar se gjykatat duhet të përqendrohen në përmbushjen e mandatit të tyre me dinjitet dhe profesionalizëm, pa marrë rolin e institucioneve që përcaktojnë historinë.

“Fatkeqësisht, në rastin e Dhomave të Specializuara kanë munguar të dyja, si dinjiteti, ashtu edhe profesionalizmi”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

Latest from Blog

Go toTop