Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, i ka reaguar ashpër kryeministrit Albin Kurti, i cili pasi dështoi të arrijë një marrëveshje me LDK-në, la të kuptojë se tash do ta provojë edhe me partinë e Bedri Hamzës, për një zgjidhje të mundshme për presidentin.
Mustafa tha se kjo parti e ka kuptuar me kohë ‘lojën e Kurtit’, i cili sipas tij e njeh vetëm logjikën e kapjes së pushteteve.
“PDK e ka kuptuar me kohë lojën e Albin Kurtit. Ky njeri nuk njeh tjetër logjikë, përveç kapjes së të gjitha pushteteve.”
Siç thotë ai, ky është qëllimi i kreut të VV-së, prandaj PDK nuk i ka dhënë ‘kënaqësinë’ për ‘filma’.
“Ai nuk është në politikë për të ndërtuar, por vetëm për të marrë sa më tepër pushtet dhe për të sunduar. Prandaj, nuk i dhamë kënaqësinë që të luajë me emra për president dhe të bëjë filma.”, ka shkruar Mustafa.
Kurti sot tha se i ka shkruar Hamzës për një takim të mundshëm dhe hapat që mund të ndërmerren tutje.
“Unë i dërgova mesazh kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës, dhe të shohim se si është e mundur të ecim përpara”, tha Kurti.
Ndërsa kur është pyetur nga gazetarët nëse do t’i bënte ndonjë ofertë si LDK-së, edhe partisë së Hamzës, lideri i VV-së nuk deshi të tregojë, por shtoi se “oferta për bashkëqeverisje që u ofrua për LDK-në ka qenë ekskluzive për LDK-në”.