Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka mbajtur mbledhje, ku ka diskutuar për situatën politike dhe moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.
PDK-ja ka vlerësuar se vendi ndodhet përballë një krize të thellë kushtetuese dhe institucionale, ndërsa përgjegjësinë për bllokadën ia ka atribuuar Lëvizjes Vetëvendosje.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se mosrespektimi i afateve dhe procedurave kushtetuese po cenon funksionimin e institucioneve të vendit.
“Nuk mund të sillemi sikur kemi normalitet. Nuk ka normalitet”, ka deklaruar Hamza.
Pas mbledhjes, PDK-ja ka paralajmëruar mobilizimin e strukturave të saj në të gjitha komunat, si dhe ndërmarrjen e një sërë veprimesh ligjore, politike dhe demokratike, me qëllim, siç thotë partia, mbrojtjen e rendit kushtetues dhe funksionimit institucional.
PDK-ja ka bërë të ditur se do të zhvillojë edhe konsultime me subjektet e tjera politike, institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile për hapat e mëtejmë.
/Demantim News/