October 22, 2026
1 min read

Peja në fokus të luftës kundër pastrimit të parave, kryeprokurorja takohet me delegacionin amerikan

Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku në fokus ishte forcimi i luftës kundër kriminalitetit financiar dhe ekonomik.

Në këtë takim morën pjesë edhe prokurori i shtetit dhe koordinatori për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, Ermal Demhasaj, si dhe këshilltarët amerikanë për krimet ekonomike, Joseph W. Burke dhe Norman Richard Smith.

Gjatë diskutimeve, vëmendje e veçantë iu kushtua identifikimit dhe hetimit të veprave penale financiare, sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme, si dhe luftimit të pastrimit të parave.

Palët diskutuan gjithashtu mundësitë për shkëmbimin e ekspertizës dhe përvojave profesionale, me synimin e rritjes së kapaciteteve të prokurorëve dhe avancimit të metodave për hetimin e krimeve financiare.

Kryeprokurorja Vuçetaj vlerësoi rëndësinë e mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në përmirësimin e praktikave hetimore dhe rritjen e efektivitetit të hetimeve financiare.

Ajo theksoi se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe shkëmbimi i përvojave janë thelbësore për forcimin e mekanizmave të hetimit dhe ndjekjes penale të veprave që lidhen me kriminalitetin financiar dhe ekonomik, si dhe për fuqizimin e mëtejshëm të Prokurorisë Themelore në Pejë.

Latest from Blog

Go toTop