August 21, 2026
1 min read

Përfundojnë gërmimet në Kalludër e Jabukë, konfirmohen mbetjet mortore të 23 personave

Pas katër javësh punë në terren, kanë përfunduar gërmimet vlerësuese dhe zhvarrosja e mbetjeve mortore në tri lokacione të konfirmuara si varreza masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Gjatë operacionit janë kryer gërmime, zhvarrosje, dokumentim mjekoligjor dhe vlerësim i hapësirave të dyshuara. Në proces kanë marrë pjesë ekipet e Institutit për Mjekësi Ligjore, Sektorit të Policisë për Persona të Zhdukur dhe njësive të tjera përkatëse, me mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it.

Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, në lokacionin e tretë janë konfirmuar mbetjet mortore të gjashtë individëve. Në të tri lokacionet, numri i përgjithshëm i personave të gjetur ka arritur në 23, të cilët dyshohet se janë viktima të zhdukjes me forcë.

Procesi tani do të vijojë me ekzaminimet mjekoligjore dhe analizat e ADN-së për identifikimin e viktimave. Pas konfirmimit të identiteteve, familjet do të njoftohen zyrtarisht dhe do të ndërmerren hapat e mëtejmë sipas procedurave.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka falënderuar ekipet dhe institucionet e angazhuara, si dhe familjet e personave të zhdukur dhe Shoqatën “Zëri i Prindërve” për bashkëpunimin gjatë gjithë procesit.

Latest from Blog

Go toTop