October 19, 2026
1 min read

Përparim Rama: Ka grupe që punojnë kundër meje dhe projekteve të kryeqytetit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur shqetësimin e tij për atë që i cilëson si sulme, shantazhe dhe përpjekje të vazhdueshme për të penguar punën e qeverisjes lokale.

I ftuar në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Rama ka deklaruar se, sipas tij, ekzistojnë grupe të organizuara që synojnë të pengojnë realizimin e projekteve në kryeqytet.

Ai ka shprehur keqardhje për mungesën e bashkëpunimit politik, duke theksuar se që nga fillimi i mandatit ka bërë thirrje për angazhim të përbashkët në funksion të interesit të qytetarëve dhe të rinjve.

“Është për keqardhje faktikisht që ka sulme dhe shantazhe. Krijojnë grupe, kam dëgjuar që e kanë atë grupin ligjor dhe grupin e propagandës që punojnë vazhdimisht kundër meje, kundër kryeqytetit dhe kundër punëve të mira që ne i bëjmë”, ka deklaruar Rama.

Ai ka theksuar se udhëheqja e Prishtinës kërkon bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike dhe tejkalim të dallimeve, veçanërisht kur bëhet fjalë për projekte me rëndësi për zhvillimin e qytetit.

Në këtë drejtim, Rama ka rikujtuar se kishte propozuar krijimin e një koalicioni të gjerë politik, me synimin që projektet madhore të kryeqytetit të realizohen më lehtë.

“Si kryetar i kryeqytetit, duhet të bashkëpunoj me të gjithë dhe duhet të krijojmë projekte madhore. Kam bërë thirrje që të kemi një koalicion të gjerë, sepse e kemi pasur vizionin e qartë për atë se çfarë i duhet Prishtinës”, ka thënë ai.

Rama ka vlerësuar se një bashkëpunim i tillë do të ishte i domosdoshëm për të çuar përpara proceset zhvillimore dhe për të realizuar projekte në interes të kryeqytetit.

Latest from Blog

Go toTop