August 24, 2026
1 min read

Përplasja për vagonët e “Trainkos”, Lekaj paralajmëron padi ndaj Rizvanollit

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pas deklaratave të saj lidhur me riparimin e vagonëve të “Trainkos” në Serbi.

Rizvanolli kishte deklaruar se vagonët ishin dërguar për herë të parë në Zrenjanin më 2017, në një procedurë të nisur gjatë Qeverisë Mustafa dhe të përuruar gjatë Qeverisë Haradinaj, duke përmendur emrin e Pal Lekajt.

Lekaj i ka mohuar këto pretendime, duke argumentuar se në kohën kur ishte zhvilluar procedura ai ende nuk kishte marrë detyrën e ministrit.

“Artane Rizvanolli, do t’ju padis për shpifje! Qeveria Haradinaj është votuar më 9 shtator 2017, ndërsa unë zyrtarisht e kam marrë detyrën e Ministrit më 11 shtator 2017”, ka deklaruar Lekaj.

Ai ka thënë se akuzat ndaj tij për një tender të pretenduar ndaj një kompanie serbe janë të pavërteta dhe kanë dëmtuar reputacionin e tij.

Lekaj ka paralajmëruar se çështjen do ta dërgojë në organet e drejtësisë dhe do të kërkojë përgjegjësi ligjore për shpifje.

Në debat është përfshirë edhe Aleanca, ndërsa sipas të dhënave të publikuara, në periudhën e përmendur nga Rizvanolli, ministër i Infrastrukturës ishte Lutfi Zharku.

Çështja është rikthyer në vëmendje pas publikimit të dokumenteve për riparimin e vagonëve të “Trainkos” në Zrenjanin gjatë vitit 2024, kur vendi drejtohej nga Qeveria Kurti.

Latest from Blog

Go toTop