Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, i është kundërpërgjigjur ish-kryeministrit Avdullah Hoti lidhur me debatet për kontratën e shitjes së thëngjillit.
Hoti ka kritikuar marrëveshjen e fundit, duke pretenduar se ajo dëmton rëndë sistemin energjetik të Kosovës. Në reagimin e tij, Kërçeli ka rikthyer në vëmendje një marrëveshje të periudhës së qeverisjes së Hotit, për të cilën pretendon se thëngjilli ishte shitur për Maqedoninë e Veriut me çmim prej 8 eurosh për ton.
Kërçeli ka deklaruar se shitja ishte bërë përmes një ndërmjetësi dhe se KEK-u, sipas tij, nuk kishte përfituar nga marrëveshja.
Ai ka pretenduar gjithashtu se kontrata me operatorin Enertech nuk ishte bërë publike dhe se për rastin është ngritur aktakuzë, pasi çështja ishte dërguar në Prokurori pas ardhjes së Qeverisë Kurti.
“Dikush këtu ka fituar – vetëm jo KEK-u”, ka deklaruar Kërçeli, duke e sfiduar Hotin të japë shpjegime për mënyrën se si ishte realizuar ajo shitje.
Përplasja mes dy deputetëve vjen në kohën kur kontrata e re për shitjen e thëngjillit ka hapur debat të gjerë politik lidhur me çmimin, përfitimet dhe ndikimin e saj në sistemin energjetik të Kosovës.