July 14, 2026
1 min read

Pezullohet nga puna një zyrtar korrektues i Dubravës, i dyshuar për marrje ryshfeti

Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka vendosur pezullimin e përkohshëm nga puna të zyrtarit korrektues D.Q., i angazhuar në Qendrën Korrektuese të Dubravës.

Sipas ShKK-së, vendimi është marrë pas inicimit të procedurës disiplinore për dyshime për shkelje të rëndë disiplinore dhe do të jetë në fuqi deri në një vendim tjetër.

Ndërkohë, ndaj D.Q. Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Sipas Prokurorisë, zyrtari korrektues dyshohet se gjatë periudhës qershor-gusht 2025, në tri raste të ndara, ka pranuar përfitime financiare në mënyrë të tërthortë nga një person i privuar nga liria.

Rasti vazhdon të trajtohet nga institucionet përkatëse, ndërsa procedurat disiplinore dhe ato penale do të zhvillohen në përputhje me ligjin, /Demantim News/.

Latest from Blog

Go toTop