I mituri godet me thikë bashkëmoshatarin në Suharekë, i lënduari jashtë rrezikut për jetën
Një incident i rëndë ka ndodhur pasditen e së enjtes në një lokal në Suharekë, ku një konflikt mes dy të miturve ka përfunduar me përdorimin e një arme të ftohtë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Demantim News, pas një fjalosjeje mes tyre, njëri nga të miturit ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur bashkëmoshatarin, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se i lënduari është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencë dhe, sipas mjekëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë hetimore dhe forenzike, të cilat kanë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë mbledhur provat materiale.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Policia ka nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivin e këtij rasti. /Demantim News/