Policia e Kosovës ka ndaluar dy shoferë që po zhvillonin garë shpejtësie në rrugën Prizren-Landovicë.
Rasti ka ndodhur rreth orës 01:10, gjatë patrullimit të njësive rajonale të trafikut rrugor, të cilat kanë hasur dy automjete duke garuar mes vete.
Të dy shoferët janë ndaluar menjëherë dhe ndaj tyre janë shqiptuar masat përkatëse. Secili është gjobitur me 400 euro, ndërsa u është ndaluar drejtimi i automjetit dhe u është sekuestruar patentë-shoferi për 10 muaj.
Policia ka bërë thirrje për respektimin e rregullave të trafikut, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në rrugë.