Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të aplikojnë për subvencionimin e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore, pasi afati përfundon më 9 gusht 2026.
Për Demantim News, MASh njoftoi se deri të premten në orën 16:00 kanë aplikuar 102.897 prindër për nxënësit e klasave 1–9 përmes platformës e-Kosova.
Sipas ministrisë, mjetet financiare do të transferohen drejtpërdrejt në xhirollogaritë e prindërve, ndërsa aplikuesit janë ftuar të verifikojnë që llogaritë bankare dhe të dhënat në e-Kosova janë të sakta dhe aktive.
MASh bëri të ditur se procesi i aplikimit po zhvillohet pa pengesa, ndërsa aplikimet do të verifikohen nga shkollat përkatëse përmes koordinatorëve të autorizuar.
/Demantim News/