Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Komuna ka nisur procesin e lirimit të banesave komunale, të cilat sipas tij për vite me radhë janë shfrytëzuar pa kontrata dhe pa bazë ligjore.
Rama ka deklaruar se prona publike nuk mund të përdoret në mënyrë të paligjshme dhe se institucionet komunale do të vazhdojnë veprimet për rikthimin e saj në funksion të ligjit.

“Po vazhdojmë me vendosmëri lirimin e banesave komunale që për vite me radhë janë shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme, pa kontrata dhe pa bazë ligjore”, ka shkruar Rama.

Sipas tij, menaxhimi i pronës komunale duhet të bëhet me përgjegjësi dhe transparencë, ndërsa çdo rast i uzurpimit do të trajtohet pa kompromis.
“Kryeqyteti do të vazhdojë të veprojë pa kompromis ndaj çdo uzurpimi të pronës komunale”, ka theksuar kryetari i Prishtinës.
