Komuna e Prishtinës ka rihapur procedurën e prokurimit për projektin “Intervenime infrastrukturore për persona me nevoja të veçanta”, pasi tenderi i mëparshëm ishte anuluar për shkak të një lëshimi teknik në dokumentacion.
Sipas njoftimit për kontratë, të publikuar më 27 gusht 2026, vlera e parashikuar e projektit është 300 mijë euro, ndërsa kontrata pritet të ketë kohëzgjatje prej 36 muajsh.
Punimet do të realizohen në të gjithë territorin e Komunës së Prishtinës, ndërsa kriteri kryesor për dhënien e kontratës do të jetë çmimi më i ulët.
Operatorët ekonomikë që synojnë të marrin pjesë në tender duhet të plotësojnë një sërë kërkesash financiare dhe teknike. Mes tyre kërkohet qarkullim vjetor prej së paku 600 mijë eurosh gjatë tri viteve të fundit fiskale, si dhe dëshmi për realizimin me sukses të kontratave të ngjashme në vlerë minimale prej 450 mijë eurosh gjatë tri viteve të fundit.
Procedura është rihapur pasi aktiviteti paraprak i prokurimit, i publikuar më 14 korrik, ishte anuluar më 10 gusht 2026. Sipas Komunës, anulimi kishte ardhur si rezultat i një lëshimi teknik gjatë përgatitjes së dokumentacionit.
Pas konsultimeve me njësinë kërkuese janë bërë korrigjimet e nevojshme dhe projekti është nxjerrë përsëri në tender.
Operatorët e interesuar kanë afat t’i dorëzojnë ofertat deri më 11 shtator 2026, në orën 13:30, përmes sistemit të E-Prokurimit.
/Demantim News/