Deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër po kundërshtohen edhe nga ekspertë në Serbi.
Profesori në pension i hidroteknikës dhe hidrologjisë, Jovan Despotoviq, i ka cilësuar këto deklarata si të parealizueshme, duke thënë se një projekt i tillë nuk mund të realizohet shpejt dhe do të kërkonte ndërhyrje të jashtëzakonshme në terren.
“Është somnambulizëm, nuk ka lidhje me asgjë”, ka deklaruar Despotoviq për FoNet, duke shtuar se për një ndërhyrje të tillë do të duheshin studime, projekte dhe miratime që mund të zgjasin me vite.
Ai ka theksuar se Serbia nuk mund të vendosë e vetme për ujërat ndërkufitare, duke përmendur edhe detyrimet dhe marrëveshjet evropiane për menaxhimin e burimeve ujore.
Sipas Despotoviqit, edhe vetë karakteri ndërkombëtar i Ibrit e bën të pamundur që ai të trajtohet thjesht si “lumë i Serbisë”.
“Ibëri tani është lumë ndërkombëtar. Tani ai dëshiron të thotë se Ibëri është lumi ynë dhe se mund të bëjmë çfarë të duam. Kjo nuk ka lidhje me realitetin”, ka thënë ai.
Reagimi i profesorit vjen pas deklaratës së Vuçiqit se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit në territorin e saj, në kontekstin e tensioneve me Kosovën.