Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar 30 ditë paraburgim për Bardh Dushin, i dyshuar për veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 26 gusht 2026, rreth orës 00:05, në shtëpinë e të dyshuarit në Prizren.
Pas një fjalosjeje me bashkëshorten e tij, viktimën me inicialet L.D., i dyshuari dyshohet se e ka sulmuar fizikisht, duke e goditur disa herë. Si pasojë e lëndimeve, gruaja ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.
Prokuroria ka bërë të ditur gjithashtu se pas ngjarjes, i dyshuari dyshohet se ka tentuar të fshijë gjurmët, ndërsa më pas ka njoftuar familjarët.
Rasti po hetohet nga organet e drejtësisë, ndërsa kërkesa për paraburgim tashmë është dorëzuar në gjykatë.