Prokurori Avni Namani ka kërkuar që ministri në detyrë, Xhelal Sveçla, të shpallet fajtor dhe të dënohet për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm, në rastin për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në vitin 2018.
Në fjalën përfundimtare, Namani është mbështetur në raportet e ekspertizave, sipas të cilave bombola e gazit lotsjellës konsiderohet armë.
Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, për shkak të parashkrimit, ndërsa ka kërkuar dënimin e Sveçlës për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm.
Sipas aktakuzës, më 21 mars 2018, Sveçla dhe deputetët Fitore Pacolli-Dalipi, Drita Millaku e Salih Zyba kishin aktivizuar dhe hedhur bombola të gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit, duke shkaktuar ndërprerjen e seancës.
Për Sveçlën, procedura gjyqësore është veçuar nga rasti ndaj tre të akuzuarve të tjerë, ndërsa ai dhe deputetët e tjerë janë deklaruar të pafajshëm.